Durmishi: Nga e hëna fillon sanimi i gropave në rrugët nën kompetencën e ministrisë
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, së bashku me drejtorin e Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve, Qamil Feka, ka zhvilluar një takim me menaxherët e kontratave të mirëmbajtjes dhe punëkryesit, me qëllim koordinimin e punëve për mirëmbajtjen e rrugëve dhe sigurinë në qarkullim.
Në takim morën pjesë edhe zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës, nga Departamenti për Menaxhimin e Trafikut Rrugor, të udhëhequr nga Jeton Rexhepi, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për një qarkullim më të sigurt dhe më të lehtë në rrugët e vendit.

Ministri Durmishi bëri të ditur se nga e hëna do të fillojë sanimi i gropave dhe mirëmbajtja e të gjitha rrugëve që janë në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës. Ai shtoi se, përveç sanimit të gropave, ekipi i ministrisë është përgatitur për sezonin e dimrit, duke garantuar gatishmëri për intervenime të shpejta në çdo situatë.
“Kujdesi i shtuar në komunikacion mbetet gjithmonë i nevojshëm. Bashkëpunimi mes institucioneve dhe menaxhimi i mirë i rrugëve është kyç për siguri dhe qarkullim më të lehtë për të gjithë qytetarët,” tha Durmishi.
Ky angazhim i ministrisë synon të përmirësojë infrastrukturën rrugore, të reduktojë aksidentet dhe të sigurojë një sezon dimri më të sigurt për qytetarët.