Dogana e Kosovës konfiskon 17,950 euro të padeklaruara në Vërmicë
Dogana e Kosovës ka zbuluar sot në pikën kufitare në Vërmicë një sasi të konsiderueshme parash të padeklaruara, gjithsej 17,950 euro, në një automjet me targa kosovare.
Ky zbulim erdhi gjatë një kontrolli të përbashkët nga Dogana dhe Policia Kufitare.
Automjeti u selektua për një kontroll të detajuar në vijën e dytë, ku zyrtarët doganorë gjetën paratë e fshehura. Shuma totale prej 17,950.00 euro ishte e ndarë në:
- 74 kartëmonedha nga 100 euro (7,400.00 euro)
- 211 kartëmonedha nga 50 euro (10,550.00 euro)
Për shkak të mungesës së deklarimit paraprak dhe dokumentacionit mbi prejardhjen e mjeteve, Dogana bëri sekuestrimin e shumës. Në përputhje me nenin 33.5 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK), pales i është konfiskuar automatikisht një shumë prej 4,487.50 euro, që përfaqëson 25% të vlerës totale të padeklaruar. Pjesa tjetër e parave do të mbahet derisa të përfundojnë procedurat hetimore.
Dogana e Kosovës rikujton të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që të deklarojnë saktësisht mjetet monetare mbi 10,000 euro që mbajnë me vete gjatë hyrjes ose daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës. Kjo masë synon parandalimin e veprimtarive të paligjshme financiare dhe shmangien e ndëshkimeve të panevojshme.