Dogana e Kosovës godet kontrabandën në Vërmicë, zyrtari doganor në pranga
Një operacion i suksesshëm i Njësive Antikontrabandë të Doganës së Kosovës në Pikën Kufitare Vërmicë ka çuar në zbulimin dhe parandalimin e një tentative për kontrabandë mallrash të falsifikuara, duke rezultuar edhe në arrestimin e një zyrtari doganor.
Foto: Ilustrim
Operacioni synonte forcimin e luftës kundër kontrabandës dhe garantimin e integritetit të institucioneve.
Gjatë këtij aksioni, u identifikua dhe u ndalua një ngarkesë me mbathje sportive të dyshuara si të falsifikuara, të cilat mbanin marka të mbrojtura. Ky zbulim nxori në pah jo vetëm tentativën e kontrabandës, por edhe dështimin e një zyrtari doganor për të përmbushur detyrimet ligjore.
Pas zbulimit të rastit, hetuesit e Doganës së Kosovës u njoftuan menjëherë dhe, në koordinim me Prokurorinë kompetente, nisën hetimet e nevojshme. Gjatë këtyre hetimeve, u siguruan prova të mjaftueshme që konfirmuan se zyrtari doganor nuk kishte kryer detyrën e tij ligjore, duke lejuar kështu hyrjen e këtyre mallrave në Kosovë pa kontroll dhe pa pagesën e detyrimeve doganore. Kjo neglizhencë e hapi rrugën kontrabandës dhe dëmtimit të buxhetit të shtetit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas përfundimit të procedurave hetimore dhe intervistimit të personave të dyshuar, janë ndaluar për 48 orë dy persona kyç të përfshirë në këtë rast:
- Zyrtari doganor, i cili akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare“.
- Vozitësi i automjetit transportues, i cili përballet me akuzat për veprat penale “Kontrabandim i mallrave” dhe “Shmangie nga pagesa e detyrimeve doganore“.
Dogana e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj të plotë për të luftuar kontrabandën dhe abuzimin me detyrën. Ky operacion shërben si një dëshmi e qartë e vendosmërisë së institucionit për të forcuar sundimin e ligjit, për të mbrojtur tregun e brendshëm nga mallrat e falsifikuara dhe për të ruajtur integritetin e vetë doganës. Ndjekja penale e rasteve të tilla tregon qartë se asnjë formë e abuzimit me detyrë apo veprimtarie e paligjshme që dëmton ekonominë e vendit nuk do të tolerohet.
Dogana e Kosovës vazhdon të jetë e angazhuar në parandalimin e të gjitha veprimtarive ilegale që cenojnë sigurinë ekonomike dhe ligjore të vendit.