Diaspora nis votimin, mbi 3 mijë qytetarë votuan deri në orën 09:00
Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ka nisur sot për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 09:00 kanë votuar 3,117 qytetarë, që përbën 11.24 për qind të 27,724 votuesve të regjistruar në përfaqësitë diplomatike ku ka filluar procesi i votimit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se votimi ka nisur fillimisht në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në Ankara dhe Stamboll, ndërsa më pas edhe në 24 përfaqësi të tjera diplomatike në Evropë.
Ndërkohë, votimi në ambasadën e Kosovës në Uashington, konsullatën në Nju Jork, si dhe në përfaqësitë diplomatike në Otavë dhe Toronto do të nisë sipas orarit lokal të këtyre vendeve.
