Diaspora i dha Kosovës rreth 1.2 miliardë euro gjatë vitit të kaluar

Remitencat, apo dërgesat e parave nga diaspora, përbëjnë një burim të madh të të ardhurave në Kosovë.

Diaspora i dha Kosovës rreth 1.2 miliardë euro gjatë vitit të kaluar

Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, remitencat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliard eurove. Shuma ka qenë rekorde për Kosovën.

Sipas mekanizmave financiarë ndërkombëtarë, këto dërgesa kanë ndikuar edhe në rritjen ekonomike në Kosovë, e cila, vitin e kaluar, ka qenë mbi 10 për qind.


Në vitin 2013, BQK-ja ka paraparë që në pesë vjetët pasues, të ketë rënie të remitencave, për shkak të, siç është thënë në atë kohë, “krijimit të gjeneratave të reja në diasporë dhe dobësimit të lidhjeve midis diasporës dhe Kosovës”.

Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur. Sipas Lirim Krasniqit, nga organizata Germin, e cila merret me çështje të diasporës, remitencat kanë vazhduar të rrjedhin në nivele larta, për shkak të emigrimit të vazhdueshëm të qytetarëve nga Kosova.

“Shumë qytetarë vazhdojnë të largohen nga Kosova për të punuar në shtetet e Bashkimit Evropian dhe vazhdojnë t’i mbajnë familjet e tyre në Kosovë, përmes dërgimit të remitencave. Rënien e mundshme të remitencave po e kompensojnë valët e reja të emigrimit”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

“Profili i lehtë i migrimit”, që është një dokument i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe mbulon periudhën 2018-2020, vlerëson se nga Kosova kanë emigruar 71,799 banorë.

Sipas kësaj ministre, Kosova përballet me një mesatare emigrimi prej 23,933 personash në vit, që i bie 1.3 për qind e popullatës së përgjithshme.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850,000.

Numri më i madh i tyre jeton në Gjermani dhe Zvicër dhe shuma më e madhe e remitencave në Kosovë, sipas BQK-së, dërgohet pikërisht nga këto dy vende.

Krasniqi, nga organizata Germin, thotë se në afat të shkurtër, nuk pritet të ketë rënie të remitencave – ato mund të fillojnë të bien gradualisht, me kalimin e viteve.

Ku shpenzohen remitencat?

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, parasheh që niveli i remitencave të mos bjerë deri në dhjetë vjetët të ardhshëm, për shkak të valëve të emigrimit.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se 70 për qind e remitencave që arrijnë në Kosovë, shpenzohen për buxhete familjare.

Sipas tij, do të ishte mirë që mjetet e diasporës të orientoheshin në formë të projekteve investuese.

“Remitencat janë një zë i lartë në kuptimin e të ardhurave dhe duhet të respektohen… Por, interesi i Qeverisë duhet të orientohet jo në kuptimin arbitrar të fondeve, por në inkurajimin e njerëzve që të investojnë në Kosovë”, thotë Ramosaj.

Qeveria aktuale e Kosovës, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar, ka paraparë në planin e saj krijimin e disa instrumenteve, nëpërmjet të të cilave kapitali i diasporës do të mund të kanalizohej në investime, që gjenerojnë vende pune. Me planin e Qeverisë është paraparë që nga viti i parë i qeverisjes, të emetohen bono thesari, të dedikuara për diasporën. Megjithatë, nuk është e qartë nëse ka nisur ose jo zbatimi i këtij plani.

Në fund të marsit, Qeveria e Kosovës ka thënë se investimet e huaja direkte në Kosovë përgjatë vitit të kaluar, janë rritur për më shumë se 21 për qind, krahasuar me vitin 2020.

Në përgjigje të kësaj, kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi, kishte thënë atëbotë se investimet e huaja – kryesisht në sektorin e patundshmërisë – i atribuohen në masë të madhe diasporës së Kosovës, e cila, sipas tij, investon shuma të konsiderueshme parash në ndërtimin e shtëpive dhe në blerjen e apartamenteve.

Kosova me varësinë më të madhe në rajon

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, Kosova ka varësinë më të madhe të remitencave, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se, në vitin 2020, Kosova ka pranuar 1.2 miliard euro remitenca apo 18.5 për qind të Bruto Produktit Vendor; Shqipëria ka pranuar 1.27 miliard euro remitenca apo 9.8 për qind të Bruto Produktit Vendor; Bosnje e Hercegovina 1.63 miliard euro apo 9.3 për qind të Bruto Produktit Vendor; Mali i Zi 524 milionë euro apo 9.3 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe Serbia 3.37 miliardë euro apo 7.2 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar Ditën Ndërkombëtare të Remitencave Familjare, e cila shënohet çdo 16 qershor. Kjo ditë nderon më shumë se 200 milionë punëtorë migrantë në botë, gra dhe burra, të cilët dërgojnë para në shtëpi për mbi 800 milionë anëtarë të familjes./REL/

KOMENTE0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

N'minuta
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
Suharekë, rruga e lagjes “Fan Noli” vërshohet nga mbeturinat, ankohen qytetarët
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
[FOTO] Vetura përplaset me ujkun në autostradën Prizren-Suharekë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Disa të rinj kapen në video duke dëmtuar ulëset në “Shtigjet e Ecjes”, Muharremaj kërkon intervenimin e policisë
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Ganimete Hoxha nga fshati Budakovë ka nevojë për ndihmën tuaj
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Suharekë, zjarrfikësit vazhdojnë të përballen me zjarre malore
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Ambient i pastër, “betonizohet” rruga në Zonën Industriale
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Zjarr mbi fshatin Sallagrazhdë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Kapen me marihuanë, arrestohen 4 të rinj në Suharekë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, raportohet për të lënduar
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë
Aksident në autostradë në drejtimin Suharekë-Prizren, një person i lënduar rëndë