Dhuna ndaj grave, njollë e pashlyer në shoqërinë kosovare – raportohen disa raste brenda 24 orëve

05.01.2024

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, është shndërruar në një rutinë të pandashme. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për […]

Dhuna ndaj grave, njollë e pashlyer në shoqërinë kosovare – raportohen disa raste brenda 24 orëve Foto: Ilustrim

Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familjes, është shndërruar në një rutinë të pandashme. Burra që rrahin gratë dhe vajzat e qytetarë që ushtrojnë dhunë ndaj prindërve, janë vetëm disa nga rastet e shpeshta të dhunës brenda familjes në vendin tonë. E arsyet e konflikteve janë të ndryshme, duke përfshirë dyshimet për tradhti, abuzimi me alkool, substanca narkotike  e bixhoz.

Disa raste të tilla kanë ndodhur dje në qytete të ndryshme të Kosovës, për çka Policia ka marrë masa dhe ka arrestuar personat e dyshuar.

Sinjali mëson se një person në Pejë ka sulmuar fizikisht vajzën e tij të mitur, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Vajza bashkë me nënën e saj kanë marrë tretman mjekësor dhe kanë kërkuar ndihmën e Policisë. Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me urdhër të prokurorit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një çift në Fushë Kosovë, pasi burri dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. 32-vjeçarja ka deklaruar se sherri ka nisur për shkak të fëmijëve dhe më pas i dyshuari ka eskaluar në dhunë ndaj saj dhe e ka larguar nga dhoma. I dyshuari është arrestuar dhe gjatë intervistimit ka mohuar të ketë sulmuar bashkëshorten. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima bashkë me fëmijët janë dërguar në strehimore.

Po ashtu edhe një vajzë në Prishtinë ka denoncuar vëllain e saj në Polici. Bazuar në dëshminë e 28-vjeçares, pas një konflikti verbal, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe i njëjti do të hetohet në liri.

Në të gjitha rastet e mësipërme janë iniciuar raste të ndara për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Kujtojmë që dhuna në familje në shumë raste ka përfunduar edhe me fatalitet. Lista me emrat e grave të vrara nga bashkëshortët e tyre, zgjatet nga viti në vit. E për këtë shumë shpesh janë fajësuar edhe institucionet e drejtësisë, për shkak se sipas raportimeve ndër vite, të gjitha viktimat, më parë kanë denoncuar dhunën ndaj tyre, mirëpo thirrja e tyre për ndihmë kishte hasur në vesh të shurdhër.

Rastet makabre të vrasjeve ndaj grave në të shumtën e rasteve janë përcjellë me protesta të shumta nga qytetarët e revoltuar.