Dëshmitari në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve flet për daljen e parë publike të UÇK-së

17.04.2023

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i cili ka deklaruar se është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ka folur për daljen e parë publike të UÇK-së dhe paraqitjen e Mujë Krasniqit, Daut Haradinajt dhe Rexhep Selimit. Për këtë […]

Dëshmitari në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve flet për daljen e parë publike të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i cili ka deklaruar se është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ka folur për daljen e parë publike të UÇK-së dhe paraqitjen e Mujë Krasniqit, Daut Haradinajt dhe Rexhep Selimit. Për këtë të fundit, ka thënë se kishte adresim më të rreptë dhe sipas tij kishte mesazh për LDK-në.

Pasi një pjesë e seancës është zhvilluar private, dëshmitari ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e prokurorit rreth UÇK-së.

“Në Republikën e Kosovës ka ekzistuar edhe më herët Ministria e Mbrojtjes, prej vitit 1991, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si formacion ka dalë pak më vonë, në vitin 1998 dhe prej fillimit kam qenë pjesëtar i saj. U foke për UÇK-në, për veprimet, mirëpo pas vrasjes së komandantit legjendar Adem Jashari atëherë publikisht doli UCK dhe njerëzit u kyçën në të, iu bashkëngjiten dhe luftuan me të”, ka thënë ai.

Sipas dëshmitarit, për aksionet e UÇK-së mësohej nga komunikatat që publikoheshin në media.

“Kur bëheshin veprimet, dinim që u kry një aksion ndaj policisë apo forcave serbe nga UÇK, dilnin me komunikatat e tyre që e merrnin përgjegjësinë që këtë sulm e ka kryer UÇK, viti 1997 e tutje”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitari ka thënë se ka marrë pjesë në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë, në nëntor të vitit 1997, dhe ka shtuar se atë ditë është bërë edhe dalja publike e UÇK-së.

Prokuroi James Pace e ka pyetur rreth personave të cilët u ishin adresuar masës atë ditë.

Dëshmitari ka thënë se atë ditë kishin folur Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj.

Ai ka thënë se Mujë Krasniqi kishte bërë thirrje për mbështetjen e luftës së UÇK-së si dhe për lirinë e Kosovës.

“Edhe të tjerë kanë folur, njëri prej folësve që ishte me maskë ka qenë pak më i rreptë, që tash duhet të dëgjohet UÇK. Që tash duhet të luftohet për lirinë e Kosovës ngase vetëm me fjalë nuk arrihet lufta, pak a shumë kështu ishte fjalimi”, ka thënë dëshmitari.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurorit, dëshmitari ka thënë se fjalimi i Rexhep Selimit atë ditë u dedikohej edhe njerëzve të LDK-së.

Prokurori: Përmendët që si pjesë e fjalimit u përmendën njerëz të cilët ishin pacifistë dhe at nuk mund të vazhdonin më ashtu, si e kuptuat ju këtë gjë?

Dëshmitari: U kuptua ngase fjala ishte te Lidhja Demokratike e Kosovës, se liria nuk vjen vetëm me fjalë e me mjete paqësore por duhet të bëhet edhe lufta.

Prokuroi: Çfarë ju bëri të kuptoni që kjo kishte të bënte më LDK-në, a u përmend LDK konkretisht nga njëri prej folësve?

Dëshmitari: Ishte qëllimi aty.

Prokurori: A mund të na e shpjegosh si e kuptuat që ky ishte qëllimi, që i drejtohej LDK-së, megjithëse LDK nuk ishte përmendur shprehimisht?

Dëshmitari: U dike kush është në Prishtinë, kush punon në mënyrë paqësore.

Prokurori: Sa pjesë të Malishevës kontrollonte UÇK në qershor të vitit 1998?

Dëshmitari: Pothuajse komplet Malishevën.

Prokuroi: Ishte kështu edhe në korrik të 1998?

Dëshmitari: Në Malishevë ka qenë UÇK, kane ekzistuar disa njësite, kanë qenë të shtrirë në tërë fshatin e Malishevës.

Në fillim të dëshmisë së tij, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se prej vitit 1990, LDK ka qenë prezentë në Malishevë dhe që prej asaj kohe është pjesë e saj.

Ai ka thënë se është bërë pjesë e LDK-së pasi kjo parti kishte program për pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Ai ka folur për rezultatet e LDK-së në zgjedhjet e vitit 1992 dhe sipas tij kjo parti ishte e njohur në atë kohë.

“Qëllimi kryesor i Lidhjes Demokratike ka qenë, e ka kundërshtuar sistemin e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë, ka filluar të punojë për jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës, deri në çlirimin e plotë. Ka punuar dhe vepruar për pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e saj, të udhëhequr nga presidenti (Ibrahim) Rugova dhe institucionet e saj të asaj kohe”, ka thënë dëshmitari.

Dëgjimi i dëshmitarit të dytë të ZPS-së do të vazhdoje pas pauzës ndërsa tërë dëshmia pritet të zgjasë rreth pesë ditë.

Për intervistimin e këtij dëshmitari, prokuroria ka kërkuar shtatë orë ndërsa mbrojtja e të akuzuarve  ka kërkuar 12 orë.

Etiketat