Bie numri i nxënësve që i nënshtrohen testit të maturës, Pupovci: Arsye mund të jetë rënia e interesimit për studime universitare

02.07.2024

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të hënën ka publikuar rezultatet e Provimit të Maturës, ku kalueshmëria ishte 73.3 për qind.

Bie numri i nxënësve që i nënshtrohen testit të maturës, Pupovci: Arsye mund të jetë rënia e interesimit për studime universitare Foto: Ilustrim

Nga 18 mijë e 285 nxënës të klasëve të dymbëdhjeta që i janë nënshtruar testit të maturës, prej tyre 13 mijë e 342 nxënës kanë kaluar provimin, apo 73.3%.

E, të dhënat e fundit tregojnë se ka rënie lidhur me numrin e nxënësve që i nënshtrohen Testit të Maturës, pas përfundimit të shkollës së mesme të lartë.

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se qëndrojnë pohimet që në qershorin e vitit 2014 provimit të maturës i janë nënshtruar 42,052 maturantë, ndërsa në qershorin e vitit 2024 ky numër ka rënë në 18,285, që paraqet një zvogëlim prej 56.5%.

Megjithatë, Pupovci thotë se krahasimi i tillë nuk është korrekt, duke dhënë më shumë sqarime për këtë.

“Megjithatë, krahasimi i tillë nuk është korrekt nga aspekti metodologjik, sepse në vitin 2014 kanë qenë 27,544 nxënës që kanë vijuar klasën e 12-të dhe 13,092 të tjerë që kanë vijuar klasën e 13-të, në total 40,636, ndërsa atyre i janë shtuar edhe një numër i nxënësve që nuk kanë arritur ta kalojnë provimin e maturës në vitin 2013. Ndërkaq, në vitet pasuese nuk ka pasur nxënës në klasën e 13-të”, është shprehur ai.

Pupovci ka pohuar se trendi i zvogëlimit të nxënësve në shkollat e mesme të larta ka filluar nga viti 2018/19.

“Trendi i qartë i zvogëlimit të numrit të nxënësve në shkollat e mesme të larta ka filluar në Kosovë nga viti shkollor 2018/19 kur në klasën e 12-të mësimet i kanë vijuar 28,755 nxënës, ndërsa në vitin shkollor 2023/24 ky numër ka rënë në rreth 20,725 ose për 29%. Kjo rënie reflektohet edhe në zvogëlimin e numrit të kandidatëve që i shtrohen testit të maturës e që është rreth 35% në gjashtë vitet e fundit”, theksoi ai për Telegrafin.

Pupovci theksoi se duhet analizuar me kujdes ndryshimin drastik të numrit të nxënësve që i nënshtrohen provimit të maturës.

“Ajo që duhet analizuar me kujdes është ndryshimi drastik i numrit të nxënësve që i janë nënshtruar provimit të maturës në raport me vitin e kaluar, kur në afatin e qershorit kanë qenë 21 mijë maturantë, ndërsa këtë vit vetëm 18,285, që paraqet një zvogëlim prej 13%. Kjo përkundër faktit se nuk ka dallim të madh në numrin e nxënësve që kanë vijuar klasën e 12-të në dy vitet e fundit”, ka potencuar ai.

Eksperti i arsimit, gjithashtu përmendi edhe faktin që disa nxënës mund të kenë mos kenë interesim për studime universitare.

“Një shpjegim mund të jetë rënia e interesimit për studime universitare, si pasojë e së cilës një pjesë e nxënësve kanë vendosur të mos i nënshtrohen fare provimit të maturës, sidomos ata që kanë vijuar shkollat e mesme profesionale. Po ashtu, për arsye të ndryshme, mund të ketë rënë interesimi tek nxënësit që kanë mbetur pa e dhënë provimin e maturës në vitet e mëhershme. Megjithatë, për të nxjerrë përfundime të sakta duhet analizuar të dhënat për strukturën e nxënësve që i janë nënshtruar provimit të maturës e që akoma nuk janë publikuar nga MASHTI”, pohoi ai.

Për këtë cështje, Telegrafi, ka kontaktuar edhe me MASHTI-n, por që deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.