Viti shkollor fillon me më pak nxënës, 629 fëmijë braktisën Kosovën, 61 nga Suhareka

12.09.2025

Viti i ri shkollor nisi më 1 shtator në të gjitha shkollat e Kosovës, por jo të gjithë nxënësit u kthyen në bankat e tyre.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjatë vitit shkollor 2024/25 janë larguar nga Kosova plot 629 nxënës – duke braktisur jo vetëm shkollimin, por edhe vendin.

Nga ky numër, 350 janë djem, ndërsa 279 vajza. Fenomeni nuk është shpërndarë njëtrajtësisht nëpër komuna – disa qytete po përballen me largime më të mëdha se të tjerat.

  • Gjakova kryeson listën me 89 nxënës që kanë ndërprerë shkollimin.
  • Pas saj vjen Malisheva me 84, Gjilani me 74, Prizreni me 66.
  • Suhareka ka regjistruar 61 nxënës të larguar, një shifër shqetësuese për një komunë me popullsi më të vogël krahasuar me qendrat e tjera.

Në qytetet tjera numrat janë më të ulët: Peja me 46 nxënës, Lipjani 34, Rahoveci 27, Istogu 20, ndërsa Deçani dhe Podujeva nga 19 secila. Prishtina, edhe pse ka popullsinë më të madhe në vend, ka regjistruar vetëm 9 largime të tilla.

Fakti që Suhareka ka 61 largime tregon se fenomeni i emigrimit po prek fuqishëm edhe këtë komunë. Shkollat e fshatrave dhe qytetit po përballen me banka bosh, ndërkohë që trendi i largimit të familjeve drejt vendeve të BE-së dhe Zvicrës po vazhdon të rritet.

Ekspertët e arsimit theksojnë se ky fenomen mund të ketë pasoja afatgjata, duke ulur numrin e nxënësve dhe duke rrezikuar mbylljen e klasave në disa shkolla të vogla. Kjo do të ndikojë jo vetëm në arsim, por edhe në strukturën demografike të komunës.