Nga nesër fillon aplikimi online për Provimin e Maturës 2025
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar maturantët se nga dita e nesërme, 27 maj 2025, do të fillojë procesi i aplikimit për Provimin e Maturës Shtetërore të vitit 2025.
Aplikimi do të realizohet nëpërmjet platformës online e-Kosova dhe do të jetë i hapur deri më 10 qershor 2025.
Sipas njoftimit të ministrisë, koordinatorët e shkollave do të kryejnë aprovimin e aplikacioneve nga data 1 qershor 2025 deri më 11 qershor 2025.
MAShTI ka bërë të ditur gjithashtu datat e rëndësishme për provimin dhe publikimin e rezultateve. “Provimi i Maturës Shtetërore 2025 në Kosovë është planifikuar të mbahet më 21 qershor 2025, kurse rezultatet do të publikohen më 30 qershor 2025,” thuhet në njoftim.
Për nxënësit që do të kalojnë me sukses Provimin e Maturës, certifikata digjitale do të jetë e shkarkueshme nga e njëjta platformë e-Kosova.
Sa i përket formatit të provimit, MAShTI sqaron se “Testi do të zhvillohet në një ditë të vetme dhe do të përfshijë katër lëndë: Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze, Matematikë dhe një lëndë me zgjedhje. Secila lëndë do të ketë nga 25 pyetje, me gjithsej 100 pyetje.”
Maturantët inkurajohen të fillojnë aplikimin sa më parë përmes platformës e-Kosova brenda afatit të përcaktuar.