Nxënësit e Popolanit pa ujë të pijshëm prej më shumë se 6 muajsh, furnizohen vetëm me shishe
Skandal i papranueshëm po ndodh në shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit” në Popolan, ku rreth 30 nxënës tash e më shumë se gjashtë muaj po zhvillojnë mësimin pa ujë të pijshëm edhe pa atë për nevoja higjienike.
Në një kohë kur institucionet flasin për investime e projekte, këta fëmijë mbesin të harruar, duke u detyruar të përballen me mungesën më elementare – ujin.
Redaksia e SuharekaOnline ka kontaktuar drejtorin e shkollës, Bajram Rraqi, i cili e pranoi problemin si shqetësues. Ai tha se arsyeja është se rrjeti i ujësjellësit që furnizon shkollën është i lidhur me fshatin Vraniq dhe për shkak të pozitës gjeografike uji nuk po arrin deri tek shkolla.
I pyetur se si po ia dalin nxënësit në këtë situatë, Rraqi tha se furnizimi po bëhet me shishe uji, duke i lënë fëmijët pa asnjë mundësi të kenë kushte normale për pije dhe higjienë.
Drejtori gjithashtu shtoi se është planifikuar hapja e një pusi me shpim, por kjo zgjidhje është shtyrë për shkak të motit të lig, duke vazhduar kështu braktisja e nxënësve në kushte të papranueshme.
Fëmijët e Popolanit nuk kërkojnë luks, por vetëm minimumin jetik – një pikë ujë të pastër dhe kushte të thjeshta higjiene.