Lajm i mirë për studentët dhe nxënësit e Suharekës: Hapet konkursi për bursa shkollore
Një lajm i gëzueshëm për të gjithë studentët dhe nxënësit e Komunës së Suharekës! Komuna ka njoftuar se ka hapur konkursin për bursa shkollore dhe se ka rritur numrin dhe vlerën e bursave për vitin shkollor 2024-2025.
Për këtë vit janë paraparë rreth 350 bursa. Nga këto, 240 bursa do t’u dedikohen studentëve, ndërsa 110 të tjera nxënësve të shkallës së mesme të lartë.
Një risi e rëndësishme është edhe rritja e ndjeshme e shumës financiare për çdo bursë. Kështu, studentët do të përfitojnë 600 euro në vit, ndërsa nxënësit 300 euro. Kjo do të thotë një rritje prej 100 euro për studentë dhe 50 euro për nxënës në krahasim me vitin e kaluar.
“Kemi vendosur të rrisim numrin dhe vlerën e bursave, pasi besojmë se edukimi është investimi më i mirë që mund të bëjmë për të ardhmen e të rinjve tanë. Kjo do të ndihmojë studentët dhe nxënësit të fokusohen më shumë në studimet e tyre, pa u shqetësuar për aspekte financiare” bëjnë të ditur nga Komuna e Suharekës.