BE ende nuk ia njeh Kosovës certifikatat e vaksinimit
Për më tepër, BE-ja, nga 10 janari, synon t’i ndalojë të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës. Aktualisht, për të hyrë në njërin nga vendet e bllokut mjafton testi negativ PCR i koronavirusit. Vendimin përfundimtar për udhëtime nga jashtë, BE-ja pritet ta marrë në fund të dhjetorit. Deri […]
Për më tepër, BE-ja, nga 10 janari, synon t’i ndalojë të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës. Aktualisht, për të hyrë në njërin nga vendet e bllokut mjafton testi negativ PCR i koronavirusit.
Vendimin përfundimtar për udhëtime nga jashtë, BE-ja pritet ta marrë në fund të dhjetorit.
Deri te mosnjohja e certifikatave të vaksinimit nga BE, sipas ekspertëve shëndetësorë ka ardhur pasiqë nuk u besojnë autoriteteve shëndetësore në Kosovës, kjo pas skandalit me testet PCR.
Kosova dhe Bosnje e Hercegovina, janë dy shtetet e vetme të Ballkanit Perëndimor, që Bashkimi Evropian (BE) nuk ua njeh certifikatat e vaksinimit kundër COVID-19.
Ndonëse, në Kosovë jepen vetëm dozat e vaksinës Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, këto të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), por një njohje e tillë ende ska ndodhur.
Infektologu Ilir Tolaj duke folur për Radio Kosovën ka shpjeguar disa nga arsyet se pse shtetet e Bashkimit Evropian kanë dyshime për t’i pranuar certifikatat e tilla.
‘’Kjo është një pasojë e dështimeve të mëhershme të testimeve PCR që Instituti Kombëtar i ka bërë, të cilat në vende të BE kanë rezultuar të gabueshme. Në kuadër të kësaj, autoritetet e BE-së kanë dyshimet e tyre që edhe këto certifikata si edhe testet janë të gabuara ose të falsifikuara dhe kjo ka bërë që të hezitojnë ti pranojnë këto dokumentacione’’, ka thënë Tolaj për Radio Kosovën.
Tolaj shtoi se fakti që BE nuk i pranon certifikatat e vaksinimit të Kosovës nuk flet për vetë procesin e vaksinimit e as për vaksinat, por për institucionet e Kosovës.
‘’BE nuk iu beson në masën e duhur institucioneve të Kosovës e as autoritet shëndetësore për t’i pranuar dokumentet e tyre. Pra, kjo është pasojë e mëhershme që e ceka edhe më lart’’, tha Tolaj
Por nga Ministria e Shëndetësisë thonë se problemi me certifikatat është i natyrës teknike.
“Jemi në fazën kur duhet të bëhet i lexueshëm kodi QR offline. Aktualisht është i lexueshëm vetëm online. Çështja ka të bëjë me aspektin teknik”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.
I ashtuquajturi kod QR, kur skanohet, ofron informacione për llojin e vaksinës së marrë, numrin e dozave dhe vendin e vaksinimit.