Andin Hoti rikthehet në garën politike, kësaj radhe me Lëvizjen Vetëvendosje

07.12.2025

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së dhe djali i veprimtarit të njohur Ukshin Hoti, Andin Hoti, ka konfirmuar se do të jetë kandidat për deputet në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Hoti, duke e konfirmuar për KALLXO.com më 7 dhjetor 2025. “Po, e kam pranuar kandidaturën në LVV”, ka deklaruar ai shkurt, pa dhënë detaje të mëtejshme rreth procesit të bashkimit me këtë subjekt politik.

Andin Hoti ka qenë më herët deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke u angazhuar në çështje politike, por edhe duke mbajtur pozita institucionale. Në vitin 2021, ai ishte emëruar kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, një pozitë me rëndësi të veçantë, sidomos duke marrë parasysh angazhimin e tij personal dhe familjar në këtë temë.

Kalimi i tij në listën e Vetëvendosjes vjen në një moment dinamike të skenës politike, ku subjekti i udhëhequr nga Albin Kurti po mbyll listat për zgjedhjet e parakohshme dhe po synon zgjerimin e bazës së kandidaturave me figura të njohura publike.