LVV mbështet “Marshin për Liri”: Ata që votuan Gjykatën Speciale t’i kërkojnë falje popullit
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shprehur mbështetjen për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke kritikuar ashpër themelimin e Gjykatës Speciale.
Foto: Ilustrim
Në reagimin e saj, LVV e cilëson krijimin e kësaj gjykate si një nga dëmet më të mëdha ndaj historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.
Sipas LVV-së, Gjykata Speciale është ndërtuar mbi një trajtim të veçantë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, ndërsa Serbia dhe përgjegjësit e saj për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë kanë mbetur jashtë këtij mekanizmi.
LVV ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas saj, Kosova u vu nën trysni për ta miratuar themelimin e gjykatës, duke përmendur raportin e Dick Martyt dhe rolin e përfaqësuesve rusë e serbë në zanafillën e kësaj nisme.
Partia në pushtet ka deklaruar se paraburgimi shumëvjeçar i të akuzuarve, largimi i tyre nga familjet dhe atdheu dhe proceset gjyqësore përbëjnë, sipas saj, një padrejtësi që duhet të kundërshtohet.
Në fund, LVV u ka bërë thirrje të gjithë atyre që e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale që të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.
“Me 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të publikuar më 11 shtator 2026.
