Aktakuzë ndaj pronarit të kompanisë në Prizren për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Xh.K., pronar dhe person përgjegjës i kompanisë “E.I.” SH.P.K., si dhe ndaj kësaj kompanie, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, sipas nenit 415 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Foto: Ilustrim
Sipas aktakuzës, më 10 dhjetor 2022, në Prizren, Xh.K. dyshohet se ka shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet e përcaktuara me kontratën për “Rregullimin e nxemjes qendrore në sallën e baletit në SHM ‘Lorenc Antoni’”.
Prokuroria pretendon se i pandehuri ka përdorur materiale që nuk përputheshin me kërkesat e kontratës. Në vend të gypave të bakrit, sipas aktakuzës, janë vendosur gypa të galvanizuar dhe të çelikut të zi, të materialit “inox”, të cilët nuk ishin në përputhje me paramasat, parallogaritë dhe specifikimet teknike të kontratës.
Sipas Prokurorisë, veprimet janë kryer me qëllim të përfitimit pasuror, duke i shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit.
Në aktakuzë përfshihet edhe personi juridik “E.I.” SH.P.K., i cili dyshohet se ka shkelur rregullat e prokurimit publik dhe nuk ka zbatuar detyrimet kontraktuale, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
