Abdixhiku prezanton planin e LDK-së për rrymën: Paketë subvencionimi për çdo familje

27.08.2022

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, ka prezantuar planin e partisë së tij për energjinë elektrike. Ai tha se plani i tyre do t’i ndihmojë qytetarët dhe bizneset e Kosovës që të përballojmë më lehtë krizën e këtij viti. “Reduktimet e energjisë elektrike që […]

Abdixhiku prezanton planin e LDK-së për rrymën: Paketë subvencionimi për çdo familje Foto: Ilustrim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes një videoje të publikuar në rrjetin social Facebook, ka prezantuar planin e partisë së tij për energjinë elektrike.

Ai tha se plani i tyre do t’i ndihmojë qytetarët dhe bizneset e Kosovës që të përballojmë më lehtë krizën e këtij viti.

“Reduktimet e energjisë elektrike që po na ndodhin gjatë muajve të gjatë muajve të ngrohtë të verës, janë shenjë e qartë e një drimri të vështirë që së bashku do ta kemi përpara.Përkundër paralajmërimeve tona të ngritura në vazhdimësi, Qeveria e Kosovës është dëshmuar e pavullnetshme dhe e paaftë të veprojë në kohë. Ajo ka pasur një vit të plotë për t’u përgatitur për dimrin në vijim, por gjendja sot është e njëjtë si një vit më parë, prandaj ne kemi prezantuar një plan 10 pikësh për krizën energjetike të sotme, plan që do të ndihmojë qytetarët tanë, familjet tona, bizneset e Kosovës që të përballojmë më lehtë krizën e këtij viti”, tha ai.

Abdixhiku u shpreh se ky plan bën thirrje për paketë të re subvencionimi për çdo familje kosovare, përcjell Klankosova.tv.

“Plani bën thirrje për paketë të re subvencionimi për çdo familje kosovare, ekzekutim të plotë të mjeteve të zotuara nga viti paraprak, rishikim të tarifave diskriminuese të tanishme, kontrata afatgjate furnizimi dhe heqje të TVSh-së në të gjitha faturat energjetike në Kosovë. Nëpërmjet propozimit tonë, ne i kërkojmë Qeverisë së Kosovës të asistojë familjet kosovare në sigurimin e përballueshëm të resurseve alternative të ngrohjes, çmimi i të cilave pothuajse është trefishuar tashmë. Mbi të gjitha, riparimi i Bllokut A5 në KEK nuk duhet të presë as edhe një ditë”, tha ai.

Kreu i LDK-së tha se duhet urgjentisht një plan i detajuar për kursimin e energjisë në të gjitha institucionet e vendit.

“Miliona euro tuaja shpenzohen sot në importin e energjisë elektrike, përderisa kapacitetet tona energjetike nuk janë në funskion të plotë. Në fund, përderisa të gjitha vendet e BE-së dhe rajonit kanë plane konkrete kursimi, Qeveria e Kosovës është ende në pushim, na duhet urgjentisht plan i detajuar për kursimin e energjisë në të gjitha institucionet e vendit, siç na duhet edhe një fushatë ndërgjegjësimi për qytetarët tanë e dimrin e vështirë që do ta kemi bashkë”, u shpreh ai.

Tutje, Abdixhiku i bëri thirrje qeverisë që të pranojnë propozimin e tyre për të ndihmuar qytetarët e vendit.

“LDK-ja pa plan dhe masa konkrete që lehtësojnë përballueshmërinë. I dërgoj mesazh të qartë qeverisë që të kuptojë gjendjen e vëshirë në të cilën të gjithë gjendemi. Kriza është globale, por zgjidhjet duhet të jenë nacionale dhe atë të menjëhershme. Prandaj, pranoni propozimin tonë dhe le të ndihmojmë qytetarët tanë, familjet tona e kompanitë kosovare në dimrin e vëshirë përpara”, u shpreh kreu i LDK-së.