Abdixhiku: Po, ju kanë mashtruar – ua kemi thënë që ligji mund të mos prodhojë efekt juridik

08.10.2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke thënë se paralajmërimet e LDK-së për efektin juridik të kësaj nisme tashmë po dëshmohen.

Abdixhiku ka thënë se ende pa u mbushur 48 orë nga miratimi i ligjit, është bërë e qartë se ai nuk prodhon efektin juridik që, sipas tij, u ishte premtuar qytetarëve.

“PO, JU KANË MASHTRUAR! DHE PO, UA KEMI THËNË!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka rikujtuar qëndrimin zyrtar të LDK-së të 5 tetorit në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se partia e tij kishte paralajmëruar se ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk mund të shfuqizojë detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Kosovës.

Sipas Abdixhikut, LDK-ja kishte paralajmëruar se nisma mund të mos prodhonte efektin juridik të pretenduar, ndërsa pasojat politike dhe ndërkombëtare mund t’i mbeteshin Kosovës.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e shenjtë.

Pikërisht për këtë, çdo veprim institucional duhet t’i shërbejë drejtësisë, mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve dhe interesit të Kosovës”, ka cituar Abdixhiku nga qëndrimi i LDK-së i 5 tetorit.

Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, u zhvillua debati politik, duke thënë se paralajmërimet e LDK-së u injoruan ndërsa kundërshtarët politikë u akuzuan si kundërshtarë të UÇK-së.

“E pastaj nuk kalojnë as 48 orë dhe perdet bien. Zhurma mbetet veç jehonë, e vërteta s’lëkundet; por një popull mbetet i mashtruar!”, ka shkruar Abdixhiku.

Në qëndrimin e publikuar më 5 tetor, LDK-ja kishte deklaruar se nuk mund të premtohej që një votim në Kuvend do të mund të zhbënte një aktgjykim apo të zëvendësonte betejën juridike, duke bërë thirrje për seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët ndërkombëtarë.