Abdixhiku: LDK tërhiqet nga kërkesa për president dhe çdo post qeveritar, mbetemi në opozitë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se LDK-ja do të tërhiqet nga çdo kërkesë për përfshirje në qeveri, përfshirë edhe kërkesën për postin e presidentit.
Foto: Ilustrim
Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Abdixhiku tha se partia kishte kërkuar pozitën e presidentit me synimin për të krijuar një ekuilibër institucional në vend.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje i kishte ofruar LDK-së pjesëmarrje në qeveri me tri ministri dhe pozitën e zëvendëskryeministrit, ofertë të cilën ai e cilësoi si “dekorative”.
“LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri dhe heqim dorë nga kërkesa për presidentin. LVV nuk do ta ketë LDK-në si dekor. LDK qëndron në opozitë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se koalicionet ndërtohen mbi bazën e besimit dhe se, pas refuzimit të kushteve të propozuara, sipas tij, LVV nisi një përballje publike ndaj LDK-së.
Me këtë qëndrim, LDK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë të veprojë si parti opozitare dhe nuk do të kërkojë poste në qeverinë e ardhshme.
