Abdixhiku: I kërkoj falje popullit, nuk mundem më me këtë grup parlamentar dhe këtë përçarje

01.09.2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas takimit me Grupin Parlamentar të partisë, ku është diskutuar edhe kandidatura e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Abdixhiku shprehu zhgënjim për përçarjet brenda grupit parlamentar, duke thënë se nuk ka mundur të çojë më tej përpjekjet e tij për të arritur një zgjidhje politike.

“Ju kërkoj falje popullit të Kosovës. Kaq munda, nuk munda më tepër. Jo me këtë grup parlamentar, jo me këtë përçarje, jo me këtë ndarje”, deklaroi Abdixhiku.

Ai foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se ende nuk dihet se kush do të jetë pjesë e listës zgjedhore. Abdixhiku kritikoi gjithashtu situatën politike, duke vlerësuar se Kosova po humb një mundësi për t’iu shmangur, siç tha ai, “politizimit individual”.

Kreu i LDK-së theksoi se kishte synuar një qasje që, sipas tij, do ta vendoste interesin e Republikës mbi interesat partiake, por kjo përpjekje nuk është mbështetur nga i gjithë grupi parlamentar.