🇽🇰🇲🇪 Kosova dhe Mali i Zi njohin identitetin elektronik, hap i ri drejt shërbimeve digjitale ndërkufitare
Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshje për njohjen reciproke të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara, me qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet digjitale të të dyja vendeve.
Marrëveshja përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në procesin e digjitalizimit të administratave publike.
Dokumenti është nënshkruar nga ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike të Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, dhe ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj.
Sipas institucioneve, njohja e identifikimit elektronik do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve përdorim më të lehtë të shërbimeve online, duke reduktuar procedurat administrative dhe duke rritur efikasitetin e komunikimit me institucionet publike.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy ministrat kanë prezantuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin e shërbimeve moderne digjitale dhe për afrimin e mëtejshëm të dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe administrimit elektronik.
