Komuna e Suharekës zoton 180,000 euro në rinovimin e Gjimnazit “Jeta e Re”

15.04.2025

Komuna e Suharekës ka zotuar 180,000.00 euro për të realizuar punime të rëndësishme rinovuese në Gjimnazin “Jeta e Re”.

Investimi synon përmirësimin e kushteve të infrastrukturës së këtij institucioni të rëndësishëm arsimor, duke ofruar një ambient më të sigurt dhe më të këndshëm për nxënësit dhe stafin pedagogjik.

Punimet e planifikuara përfshijnë ndërhyrje të thella në kulmin e godinës, si dhe rifreskimin e ambienteve të brendshme. Sipas detajeve të bëra publike nga Komuna, projekti do të fokusohet në:

  • Ndërrimin dhe rinovimin e kulmit: Kjo fazë përfshin demontimin e kulmit ekzistues, i cili përfshin largimin e tjegullave dhe mveshjeve me dërrasa. Më pas, do të bëhet vendosja e tjegullave të reja së bashku me mveshjet e reja, duke respektuar formën dhe strukturën aktuale të kulmit në pjesën e specifikuar në skicë.
  • Zëvendësimin e një pjese të kulmit me kulm të rrafshët: Në një pjesë tjetër të përcaktuar me skicë, do të bëhet demolimi i kulmit ekzistues dhe zëvendësimi i tij me një kulm të rrafshët. Kjo do të shoqërohet me aplikimin e shtresave hidroizoluese për të siguruar mbrojtje nga infiltrimi i ujit.
  • Ngjyrosjen e mureve dhe plafoneve të brendshme: Të gjitha muret e brendshme të shkollës dhe plafoneve do të ngjyrosen me ngjyrë të bardhë akrilike, duke i dhënë ambienteve një pamje më të pastër dhe më të ndriçuar.
  • Punimin e ndriçimit në pjesën qendrore të kulmit: Projekti parasheh instalimin e një sistemi ndriçimi natyral në pjesën qendrore të kulmit, me një dizajn piramidal të njohur si “Sky Light”. Kjo do të lejojë depërtimin e dritës natyrale në ambientet e brendshme, duke krijuar një atmosferë më tërheqëse dhe duke reduktuar nevojën për ndriçim artificial gjatë ditës.