Gjimnazi “Jeta e Re” dominon në Suharekë me 18 mirënjohje, nxënësit shkëlqejnë në olimpiada dhe gara
Gjimnazi “Jeta e Re” në Suharekë ka konfirmuar edhe këtë vit statusin e një prej institucioneve më të suksesshme arsimore në komunë, duke u vlerësuar me plot 18 mirënjohje në ceremoninë solemne të organizuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit.
Ngjarja u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyqi”, ku u nderuan nxënësit që kanë arritur rezultate të larta në olimpiada dhe gara të ndryshme në nivel komunal dhe republikan. Mirënjohjet u ndanë nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, dhe drejtori i DKA-së, Remzi Bajselmani.
Nxënësit e Gjimnazit “Jeta e Re” u dalluan me rezultate të jashtëzakonshme, ndërsa Adea Kuçi dhe Drion Kafexholli morën nga tri mirënjohje secili, duke qenë ndër më të suksesshmit e këtij viti. Po ashtu, Bleron Berisha u vlerësua me dy mirënjohje, ndërsa një numër i madh nxënësish të tjerë u shpërblyen për arritjet e tyre.
Ceremonia u moderua nga nxënësja Ledisa Gashi, ndërsa programi artistik u pasurua me interpretimin e Lina Ahmetit dhe një valle tradicionale të realizuar së bashku me Butrint Bytyqin.
Sipas shkollës, gjatë vitit shkollor 2025/2026 nxënësit e Gjimnazit “Jeta e Re” kanë arritur suksese të shumta jo vetëm në olimpiada, por edhe në sport, krijimtari artistike, ese dhe aktivitete të tjera në nivel komunal, republikan dhe ndërkombëtar.
Drejtuesit e shkollës theksuan se këto rezultate janë fryt i përkushtimit të nxënësve, angazhimit të mësimdhënësve dhe mbështetjes së vazhdueshme të prindërve, duke e bërë Gjimnazin “Jeta e Re” një shembull suksesi në arsimin e Suharekës.
