KKSB diskuton sigurinë, lëmoshkërkuesit dhe qasjen për personat me nevoja të veçanta në Suharekë

16.04.2025

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Suharekës mbajti sot takimin e tij të rregullt, ku u diskutuan çështje të rëndësishme që ndikojnë në sigurinë dhe mirëqenien e komunitetit.

Takimi u kryesua nga nënkryetarja e Komunës, znj. Mihrije Suka, dhe u karakterizua nga një diskutim konstruktiv i anëtarëve të KKSB-së rreth pikave të ndryshme të rendit të ditës.

Pikat kryesore të diskutuara në takim ishin:

  1. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar, i cili u miratua pa vërejtje.
  2. Vlerësimi i përgjithshëm i sigurisë në territorin e Komunës, ku u vlerësua gjendja aktuale dhe u diskutuan sfidat e mundshme.
  3. Vetëdijesimi i nxënësve për rrezikun nga minat dhe mjetet e tjera të pa shpërthyera nga lufta, një çështje e rëndësishme për sigurinë e brezit të ri.
  4. Identifikimi i hapësirave për qasjen e personave me nevoja të veçanta, duke theksuar nevojën për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për këtë kategori.
  5. Masat për parandalimin e lëmoshë-kërkuesit, një fenomen që kërkon trajtim të kujdesshëm dhe në bashkëpunim me organet e rendit.

Pas diskutimeve të gjera, anëtarët e KKSB-së nxorrën disa rekomandime konkrete për secilën nga pikat e rendit të ditës:

  1. Siguria e përgjithshme: Të rritet bashkëpunimi midis qytetarëve dhe policisë, duke inkurajuar banorët të lajmërojnë rastet e dyshimta në polici për të kontribuar në një ambient më të sigurt.
  2. Siguria në trafik: Komuna të intensifikojë shënjëzimin dhe sinjalizimin e rrugëve në qytet dhe në fshatra, me theks të veçantë në zonat pranë shkollave, ku shpesh mungojnë shenjat paralajmëruese për rrezikun.
  3. Vetëdijesimi për minat: Drejtoria e Arsimit të kërkojë nga Ministria përkatëse që, përmes bashkëpunimit me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), të organizohen ligjërata vetëdijesuese nëpër shkolla për rrezikun nga minat dhe mjetet e tjera të pa shpërthyera.
  4. Qasja për personat me nevoja të veçanta: Të krijohen kushte të përshtatshme për personat me nevoja të veçanta për lëvizje të lirshme në të gjitha objektet institucionale dhe të shtohet kujdesi për fëmijët nxënës me nevoja të veçanta në sistemin arsimor.
  5. Parandalimi i lëmoshë-kërkuesit: Të lajmërohen në polici personat që vërehen duke kërkuar lëmoshë. Policia të bëjë identifikimin e tyre, duke marrë parasysh dyshimet se disa prej tyre mund të jenë të sjellë nga jashtë komunës.

Këto rekomandime pritet të adresohen nga institucionet përkatëse komunale dhe të zbatohen në praktikë me qëllim të përmirësimit të sigurisë dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Komunës së Suharekës.