Dr. Samir Bytyçi paralajmëron kandidim për kryetar të Suharekës: Nuk kam hyrë në politikë për t’ia bërë argatin askujt
Dr. Samir Bytyçi ka paralajmëruar se rrugëtimi i tij i ardhshëm politik do të jetë i pavarur nga interesat e ngushta, duke bërë të ditur se synimi i tij është të kandidojë vetëm për kryetar të Komunës së Suharekës.
“Në politikë nuk kam hyrë për t’ia bërë argatin askujt dhe as për të qenë spektator i vendimeve që merren në dëm tuajin. Kur njeriu nuk është në ballë të proceseve, mbetet me duar lidhur dhe nuk mund t’i adresohet e t’i zgjidhë problemet tuaja reale”, ka shkruar ai.
Bytyçi ka theksuar se vendimi i tij është i prerë dhe se në të ardhmen synon vetëm pozitën e të parit të komunës, nga e cila, sipas tij, do të mund t’u shërbente qytetarëve me përgjegjësi të plotë.
“Unë do të vazhdoj të kandidoj vetëm për Kryetar të Komunës së Suharekës, sepse vetëm nga ajo pozitë mund t’ju shërbej me përgjegjësi të plotë, pa pasur nevojë t’i marr leje askujt për t’ju mbrojtur juve”, ka deklaruar Bytyçi.
Ai ka shtuar se nuk dëshiron ndërmjetësues mes tij dhe qytetarëve, duke premtuar transparencë të plotë në çdo vendim, investim dhe projekt që lidhet me Suharekën.
Në fund të reagimit, Bytyçi ka theksuar se ka ardhur koha që proceset në komunë të udhëhiqen nga njerëz që guxojnë dhe që e duan Suharekën.
“Unë jam gati!”, ka përfunduar ai.
