Katër ankesa në OSHP kundër Komunës së Suharekës vetëm në Qershor
Muaji qershor ka shënuar një rritje të ndjeshme të ankesave ndaj Komunës së Suharekës pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke vënë në qendër të vëmendjes transparencën dhe ligjshmërinë e proceseve të prokurimit publik.
Katër ankesa janë deponuar brenda muajit, duke pezulluar projekte për zhvillimin e komunës. Më poshtë, po sjellim detaje specifike nga njëra prej këtyre ankesave, ajo e kompanisë “Bajram Ha. Gashi B.I.” për tenderin “Rikonstruimi i kulmit të SH.M. Gjimnazi Jeta e Re – Suharekë”.
Kompania “Bajram Ha. Gashi B.I.” ka paraqitur zyrtarisht ankesën e saj në OSHP më 30 qershor 2025, duke kontestuar vendimin e Autoritetit Kontraktues (AK) – Komuna e Suharekës – lidhur me tenderin për rikonstruimin e kulmit të Gjimnazit “Jeta e Re”. Kjo ankesë vjen pas refuzimit të kërkesës së tyre për rishqyrtim nga AK-ja më 20 qershor 2025.
Në thelb të ankesës së “Bajram Ha. Gashi B.I.” janë 14 pretendime por tri janë kryesore, që ngrenë pikëpyetje mbi vlerësimin e ofertave dhe respektimin e Ligjit të Prokurimit Publik (LPP):
- Vlerësim i anshëm dhe subjektiv nga AK-ja: Ankuesi pretendon se vendimi i AK-së i datës 12 qershor 2025 për eliminimin e tyre ishte subjektiv dhe në kundërshtim me LPP-në. Konkretisht, lidhur me kërkesën për Deklaratën Unike Doganore (DUD), AK-ja kishte thënë se “DUD nuk vërehet qartë”. Kompania thekson se në raste të tilla, AK-ja duhej të kishte kërkuar sqarime shtesë, siç parashikohet nga Neni 72 i LPP-së, në vend që të procedonte me refuzim. Ata akuzojnë AK-në për keqinterpretim të Nenit 39.8 të Rregullores së Zbatimit të Prokurimit Publik (RrUOPP) , duke përdorur një interpretim që nuk lidhet me sqarimin e dokumenteve teknike.
- Kërkesa shtesë jashtë dosjes së tenderit (DT): Ankuesi sfidon vendimin e AK-së lidhur me kërkesën për një “rimorkio të rëndë për bartjen e makinerisë”. Edhe pse kompania kishte paraqitur një marrëveshje shfrytëzimi me “Gashi ING SHPK” dhe libreza valide regjistrimi, AK-ja e kishte konsideruar atë të pavlefshme për shkak të mungesës së “validitetit të qarkullimit” në datën e hapjes së ofertave. “Bajram Ha. Gashi B.I.” argumenton se kërkesa për “validitetin e rimorkios” nuk ishte specifikuar askund në DT , duke e cilësuar këtë si një kërkesë shtesë dhe të nënkuptuar. Ata theksojnë se mjetet priten të jenë funksionale kur fillojnë punët në terren, jo në momentin e hapjes së ofertave.
- Marrëveshja për Ngarkuesin (ULT) dhe Interpretimi i Dokumentacionit: Pretendimi i tretë lidhet me kërkesën për një ngarkues (ULT) dhe interpretimin e dokumentacionit të dorëzuar. AK-ja kishte refuzuar marrëveshjen e ankuesit me kompaninë “Qamili NTSH” (Naser Duraku B.I.) , duke argumentuar se DUD-i e ngarkuesit ishte në emër të një pale të tretë (Afrim Xhafiqi) dhe nuk korrespondonte me marrëveshjen. Ankuesi ka bashkëngjitur një kontratë shitblerjeje noteriale të datës 21 dhjetor 2022, që dëshmon se pajisja është blerë nga NTSH Qamili nga Afrim Xhafiqi, duke treguar që dokumentet janë në harmoni të plotë. Kompania kritikon AK-në për keqinterpretim ligjor dhe për konsiderimin e kontratës së shitblerjes si “dëshmi të re”, duke argumentuar se një dokument noterial i lidhur para tenderit ka peshë ligjore të plotë.
Organi Shqyrtues i Prokurimit në fokus të vlerësimit të pretendimeve të OE Bajram Ha. Gashi B.I.
Sipas Nenit 109 të Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, Nr. 05/I-068 dhe Nr. 05/L-092, kompania Bajram Ha. Gashi B.I. ka parashtruar ankesë ndaj Komunës së Suharekës për procedurën e prokurimit të titulluar “Rikonstruimi i kulmit të SH.M. Gjimnazi Jeta e Re” me numrat e referencës: 624-25-1994-5-2-1 dhe 624-25-21-521.
Kronologji e zhvillimeve:
- Njoftimi për kontratë: 04.04.2025
- Hapja e ofertave: 25.04.2025
- Njoftimi mbi vendimin e AK: 12.06.2025
- Kërkesa për rishqyrtim: 17.06.2025
- Refuzimi i kërkësës nga AK: 20.06.2025
Thelbi i ankesës:
Operatori Ekonomik (OE) pretendon se Autoriteti Kontraktues ka kryer shkelje të shumta të dispozitave të Ligjit mbi Prokurimin Publik, duke vlerësuar ofertat me standarde të dyfishta dhe duke diskriminuar ofertën e OE në fjalë. OE ka listuar tri pretendime kryesore të bazuara mbi vlerësimin subjektiv, aplikimin e kritereve jashtë DT dhe mohimin e sqarimeve shtesë sipas ligjit.
Pretendimi i parë ankimor:
Vlerësimi subjektiv i dokumentacionit të ofruar nga OE, konkretisht interpretimi se DUD, për OE-në është vlerësim i anshëm dhe diskriminues. Sipas neneve 7, 39.8 dhe 72 të LPP dhe Rregullores, AK ishte i detyruar të kërkonte sqarime shtesë e jo të eliminonte ofertën.
Pretendimi i dytë ankimor:
AK ka refuzuar dokumentacionin lidhur me rimorkion, duke pretenduar se mungon validiteti i regjistrimit në ditën e hapjes së ofertave. Ndërkohë, OE argumenton se në DT nuk është specifikuar ky kusht dhe se pajisja do jetë në dispozicion në fazën e zbatimit të kontratës. AK nuk ka kërkuar sqarime shtesë dhe ka vepruar në kundërthënie me nenin 72 të LPP-së.
Pretendimi i tretë ankimor:
OE ka prezantuar DUD dhe marrëveshje për shfrytëzim të një ngarkuesi (ULT), konform DT. AK ka refuzuar këtë marrëveshje me arsyetimin se DUD figuron në emër të një personi të tretë, megjithë se ekziston kontratë noteriale notarialisht e vërtetuar mbi kalimin e pronësisë që lidh subjektet në fjalë. Për OE, refuzimi i AK është keqinterpretim dhe abuzim me diskrecionin.
Dispozitat e shkelura sipas OE:
- Neni 1, 6, 7, 24, 40, 51, 52, 72, 97, 130 dhe 131 të LPP
- Neni 4 i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike
- Neni 39.8 i RrUOPP
Qëndrimi i OE:
OE thekson se Komuna e Suharekës ka aplikuar kritere jashtë DT, ka refuzuar të kërkojë sqarime ligjore dhe ka diskriminuar ofertën e OE me vendime të pabazuara dhe selektive. Të gjitha pretendimet janë të mbështetura me dokumente, kontrata noteriale dhe certifikata teknike.
Kërkesa para OSHP-së:
OE i kërkon OSHP-së anulimin e vendimit të AK dhe rikthimin e procedurës së vlerësimit të ofertave në një proces të drejtë, transparent dhe konform LPP-së. Gjithashtu, në rast aprovimi të ankesës, OE pret kthimin e tarifës ankimore dhe dënimin e AK me gjobë administrative nëse konstatohet veprim me elemente të qëllimshmë.