20 mijë maturantë i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës më 21 qershor
Rreth 20 mijë maturantë në Kosovë janë gati të përballen me Provimin Shtetëror të Maturës më 21 qershor.
Foto: Ilustrim
Ky provim përfshin katër lëndë të detyrueshme: gjuhën shqipe, gjuhën angleze, matematikën dhe një lëndë zgjedhore sipas orientimit të tyre.
Testi do të përbëhet nga 100 pyetje, nga 25 për secilën lëndë, ndërsa pragu i kalueshmërisë është vendosur në 40 për qind të përgjigjeve të sakta. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka apeluar për korrektësi gjatë procesit, duke paralajmëruar sanksione për çdo tentativë kopjimi nga maturantët dhe shkelje nga administratorët. Para provimit, nxënësit e klasave të dymbëdhjeta duhet të hapin llogaritë e tyre në platformën e-Kosova, ku edhe do të aplikojnë për Provimin Shtetëror të Maturës.
Maturantët e anketuar nga RTK shprehen se e kanë përmbyllur procesin e notave dhe aktualisht janë duke ripërsëritur njësitë mësimore në lëndët e përfshira në provim. Megjithatë, disa prej tyre e cilësojnë këtë periudhë si të ngarkuar dhe sfiduese.
Altin Visoka, një maturant i gjimnazit shoqëror, u shpreh se ka zgjedhur këtë drejtim për shkak të preferencave të tij për lëndë si psikologjia dhe sociologjia. Edhe maturantja Tamira Randobrava theksoi interesin e saj për psikologjinë dhe sociologjinë, duke vlerësuar pozitivisht mënyrën e shpjegimit të mësimit gjatë këtyre tre viteve. Ndërsa Blin Gashi, gjithashtu maturant i gjimnazit shoqëror, tha se njohuritë e marra në shkollën fillore janë zgjeruar ndjeshëm në gjimnaz.
Mësimdhënësit po ashtu janë të angazhuar në përgatitjen e maturantëve. Profesorja e gjuhës shqipe, Hatmone Demiri, tha se kjo periudhë është sfiduese për maturantët dhe po mundohen t’u qëndrojnë afër me orë shtesë për ripërsëritje. Zv.drejtori i Gjimnazit “Ahmet Gashi”, Haki Dili, shprehu optimizmin për një tjetër vit të suksesshëm, duke kujtuar kalueshmërinë mbi 90% në gjimnazin e tyre vitin e kaluar.
Nga Divizioni për Cilësi, Standarde dhe Vlerësim në MASHTI, Fatmir Elezi sqaroi se kriteri i kalueshmërisë do të mbetet 40 për qind, që do të thotë se nxënësit duhet të përgjigjen saktë në të paktën 40 pyetje për të kaluar provimin.
Maturantëve u është bërë thirrje që në ditën e provimit të kenë me vete vetëm një laps dhe dokument identifikimi. Çdo tentativë për kopjim do të rezultojë në largim nga testimi dhe humbje të afatit. Masa ndëshkuese do të ketë edhe për administratorët nëse konstatohen shkelje. Rreth 20 mijë maturantë në të gjithë Kosovën do t’i nënshtrohen Provimit Shtetëror të Maturës 2025.