Gjykata Speciale sot pritet të vendosë për disa pika të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot pritet një nga vendimet kyçe në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gjykata do të shqyrtojë mocionin e paraqitur nga mbrojtja, i cili kërkon rrëzimin e disa pikave të aktakuzës ndaj tyre. Ky hap pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në vazhdimin e mëtejshëm të gjykimit.
Procesi tashmë ka hyrë në një fazë të avancuar, dhe vendimi që do të merret sot, sipas njohësve të çështjes, do të jetë me peshë për rrjedhën e mëtejme të procedurës. Në këtë fazë, gjykata do të vlerësojë nëse provat e paraqitura nga Prokuroria mbështesin në mënyrë të mjaftueshme pretendimet në aktakuzë, apo nëse ndonjëra prej pikave duhet të rrëzohet.
Avokati Taulant Hodaj, në një prononcim për RTK, ka shpjeguar se kjo është një fazë e ndërmjetme në procedurë, ku trupi gjykues shqyrton nëse ka baza të mjaftueshme për të vazhduar gjykimin për të gjitha pikat e aktakuzës.
“Ky është një filtër që, nëse eventualisht aktakuza është e dobët në bazë të provave që i ka ofruar vetë prokuroria dhe dëshmitarët e saj dëshmojnë të kundërtën e asaj që pretendohet në aktakuzë, atëherë gjykata mund të ndërhyjë. Nesër trupi gjykues mund të rrëzojë disa pika të aktakuzës, mund të mos rrëzojë asnjë, ose mund të vendosë të vazhdojë me të gjitha”, ka theksuar Hodaj.
Ai ka shtuar se nga njoftimi zyrtar është bërë e ditur që sot pritet të shpallet vendimi, ndërsa është kërkuar që përfaqësuesi i viktimave të paraqesë fjalën e tij – një element që, sipas Hodajt, sugjeron se nuk pritet të rrëzohen të gjitha pikat e aktakuzës, ndonëse mbetet të shihet vendimi final.
Hodaj vlerëson se çdo ndryshim në aktakuzë – rrëzim i ndonjë pike – mund të lehtësojë vendimmarrjen përfundimtare që parashihet të merret në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, në zhvillime të tjera në kuadër të Dhomave të Specializuara, Gjykata tashmë ka dhënë një vendim të formës së prerë për rastin e Salih Mustafës, duke konfirmuar dënimin prej 15 vjetësh burgim nga Apeli.
Sa i përket rastit të Pjetër Shalës, i njohur si “Ujku”, Gjykata e Apelit ka vendosur të ulë dënimin nga 18 në 13 vjet burg. Përfaqësuesja e Institutit të Kosovës për Drejtësi, Blendina Veliqi, ka sqaruar se palët mund të paraqesin ankesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
“Në atë rast nuk bëhet vlerësimi i provave, por mund të paraqiten pretendime për shkelje të ndonjë ligji. Gjykata Supreme mund ta ndryshojë vendimin, mund ta kthejë në rishqyrtim, ose mund të konstatojë se ka pasur shkelje që nuk ndikojnë në ndryshimin e vendimit të Apelit”, ka deklaruar Veliqi.
Vendimi që do të merret sot ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit mbetet në vëmendje të lartë, duke qenë se do të përcaktojë qasjen e mëtejme të gjykatës në këtë çështje që prej fillimit ka ngjallur interes të madh publik dhe politik.