Vrasje e rëndë në Prizren: 80-vjeçarja gjendet e vdekur, ndalohet bashkëshorti 81-vjeçar
Një 80-vjeçare është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në Prizren, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Foto: Ilustrim
Rasti është raportuar rreth orës 01:30, ndërsa ekipet policore dhe mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit kanë ngritur dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Sipas Policisë, lëndimet në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Në shtëpi është gjetur edhe bashkëshorti i viktimës, 81-vjeçari B.D., i cili është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.Trupi i pajetë i 80-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor.
Policia ka bërë të ditur se, sipas evidencave, çifti nuk kishte pasur më herët raste të raportuara të dhunës dhe në momentin e incidentit ndodheshin vetëm në shtëpi.
Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit.
