U kap me 197 km/h në autostradën Prizren–Suharekë, shoferi gjobitet me 300 euro dhe i ndalohet vozitja
Njësia për Kontrollin e Autostradave ka identifikuar një shofer i cili kishte tejkaluar kufirin e shpejtësisë në autostradën Prizren–Suharekë.
Sipas njoftimit, identifikimi i shoferit është bërë pas video-incizimeve të publikuara në rrjetet sociale, ku shihej automjeti duke lëvizur me shpejtësi të lartë në zonën ku kufizimi ishte 130 km/h.
Shoferi është ndaluar pasi kishte drejtuar automjetin me 197 km/h, duke tejkaluar kufirin e lejuar për 67 km/h.
Për këtë shkelje, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, janë regjistruar 3 pikë negative, si dhe i është ndaluar drejtimi i mjetit me veprim motorik për një periudhë prej 3 muajsh.
Policia ka bërë thirrje për respektimin e rregullave të trafikut dhe kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në autostrada, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
