Tragjedi në Kobaj të Prizrenit: 27-vjeçari humb jetën pas përleshjes mes familjarëve
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Kobaj të Prizrenit, ku një konflikt mes familjarëve ka përfunduar me pasoja tragjike.
Sipas informacioneve të para, përleshja ka eskaluar deri në përdorimin e mjeteve të mprehta, ku si pasojë ka humbur jetën A.O., 27 vjeç.
Burime të mediave raportojnë se ngjarja ka ndodhur para pak çastesh, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet hetimore, të cilat po merren me zbardhjen e rrethanave të rastit.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Policinë e Kosovës për të marrë një konfirmim zyrtar, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka pasur përgjigje lidhur me rastin.
Motivet që çuan në konflikt mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po mbledhin prova dhe dëshmi nga vendi i ngjarjes për të ndriçuar plotësisht rastin.
Më shumë informacione pritet të publikohen pas deklaratave zyrtare të organeve të rendit.
