Rifillon puna e Ekoregjionit, Asambleja pritet të vendosë për rritjen e tarifave në fund të prillit
Pas një takimi të zhvilluar në zyrën e Kryetarit të Komunës së Suharekës me shefat e grupeve të partive politike, është arritur dakordim që në fund të muajit prill të rishqyrtohet rregullorja komunale për rritjen e tarifave.
Në njoftimin zyrtar, Kryeshefi Ekzekutiv i Ekoregjionit, Burim Shala, bëri të ditur se synimi është që kjo rregullore të aprovohet në përputhje me kërkesat e paraqitura, në funksion të përmirësimit të kushteve për punëtorët dhe në interes të qytetarëve të Suharekës.
Ai falënderoi qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin gjatë periudhës së ndërprerjes së shërbimeve, duke theksuar se prioritet mbetet mirëqenia e tyre dhe ruajtja e pastërtisë së qytetit.
Ndërkohë, është bërë e ditur se nga sot shërbimet e Ekoregjionit kanë rifilluar normalisht në territorin e Komunës së Suharekës.
