Rrezik për ndërprerje të shërbimeve, Ekoregjioni kërkon tarifa më të larta
Kompania “Ekoregjioni” ka njoftuar qytetarët e Suharekës për vështirësitë serioze financiare që po përballet, duke paralajmëruar se me tarifën aktuale prej 6.00 euro nuk mund të sigurojë funksionim normal të shërbimeve.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesat për rritje të tarifës kanë nisur që nga dhjetori i vitit 2022, fillimisht nga 4.50 € në 6.50 €, ndërsa në janar të vitit 2026 është propozuar tarifa prej 7.50 €.
Megjithatë, Kuvendi Komunal ka vendosur të miratojë vetëm tarifën prej 6.00 €, pavarësisht prezantimeve dhe analizave financiare të kompanisë që dëshmojnë se kjo shumë është e pamjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve operative.
Kryeshefi Ekzekutiv, Burim Shala, ka bërë të ditur se kompania ka regjistruar humbje prej 140,000 euro në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 parashihen humbje shtesë prej rreth 114,000 euro nga muaji korrik, nëse vazhdohet me tarifën aktuale.
Si pasojë e kësaj situate, “Ekoregjioni” ka theksuar se nuk ka mundësi të garantojë pagesat e rregullta për punëtorët dhe as vazhdimësinë e qëndrueshme të shërbimeve në Suharekë.
Kompania gjithashtu ka paralajmëruar për rrezikun e mundshëm të përhapjes së epidemive si pasojë e moslargimit të mbeturinave.
Në përfundim, përgjegjësia për çdo pasojë të mundshme i është atribuar Kuvendit Komunal dhe vendimmarrësve që kanë miratuar tarifën aktuale pa marrë parasysh kërkesat dhe analizat profesionale të ndërmarrjes.
