Zgjidhet problemi me deponimin e mbeturinave, “Ekoregjioni” rifillon shërbimin

15.10.2026

Kompania Rajonale e Mbeturinave KRM “Ekoregjioni” ka njoftuar se ka rifilluar normalisht shërbimi i grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave në Prizren, Suharekë, Malishevë dhe Rahovec.

Sipas njoftimit të kompanisë, rifillimi i shërbimit vjen pas marrëveshjes së arritur ndërmjet KRM “Ekoregjioni”, Komunës së Prizrenit dhe Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), me qëllim të tejkalimit të problemeve të krijuara lidhur me deponimin e mbeturinave.

Kompania ka bërë të ditur se shërbimi do të vazhdojë normalisht në të gjithë territorin ku operon, duke përfshirë zonat urbane dhe rurale.

KRM “Ekoregjioni” u ka kërkuar falje qytetarëve dhe bizneseve për shqetësimet e shkaktuara nga ndërprerja e shërbimit, duke i falënderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

Në fund, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë, Burim Shala, ka falënderuar kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, nënkryetarin Kujtim Gashi, drejtorin e SHP-së, Islam Ukimeri, si dhe menaxhmentin e KMDK-së për angazhimin në zgjidhjen e problemit.