Prishtinë, një i vdekur dhe një e lënduar pas incidenti në rrugën “B”
Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 15:00 është raportuar për dy persona të lënduar në një ndërtesë që ndodhet në rrugën “B” në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
Në vendin e ngjarjes është kërkuar ndihma e mjekëve emergjentë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar. Viktima është një mashkull i moshës 34-vjeçare. Personi tjetër i lënduar, një femër 30-vjeçare, është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor.
Policia e Kosovës po vijon me veprimet hetimore për të zbardhur të gjitha detajet dhe shkaqet që çuan në këtë incident tragjik. Nuk ka ende informacione të tjera zyrtare lidhur me natyrën e incidentit.