10 ditë pa ujë në Savrovë, banorët ankohen për mungesë të furnizimit dhe të informacionit zyrtar
Banorët e fshatit Savrovë të Suharekës po përballen me mungesë të ujit të pijshëm tash e 10 ditë, ndërsa ankohen se deri më tani nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar nga Hidroregjioni Jugor lidhur me arsyet e ndërprerjes apo kohën e rikthimit të furnizimit.
Përmes një mesazhi të dërguar në redaksinë e Suhareka Online, një banor, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar.
“Ka 10 ditë që nuk kemi ujë. Ajo që e bën këtë situatë edhe më shqetësuese është fakti se deri më tani nuk është publikuar asnjë njoftim zyrtar nga Hidroregjioni Jugor. Banorët nuk kanë asnjë informacion se pse ka mungesë uji dhe kur pritet të rikthehet furnizimi”, thuhet në mesazhin e dërguar.
Banorët i bëjnë thirrje Hidroregjionit Jugor që të ndërmarrë masa urgjente për zgjidhjen e problemit dhe të dalë me një sqarim publik për situatën.
“10 ditë pa ujë – deri kur kështu?!”, është pyetja që ngrihet në fund të reagimit.
Banorët presin përgjigje nga institucionet përgjegjëse dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me ujë.
