Pren dru në pronë private dhe tenton të godasë policinë me veturë – i dyshuari në arrati në Suharekë

28.04.2026

Një incident serioz ka ndodhur më 27 prill 2026 rreth orës 16:30 në fshatin Reqan të Suharekës, ku një person dyshohet për vjedhje dhe rrezikim të përgjithshëm.

Sipas burimeve nga terreni, njësitë policore kanë ndërhyrë pas informatave për prerje të paligjshme të druve në një pronë private.

Në vendin e ngjarjes, policia ka hasur të dyshuarin, i cili ndodhej me një automjet tip “pikap”.I njëjti nuk iu është bindur urdhrave të policisë për ndalim dhe dyshohet se ka tentuar t’i godasë zyrtarët policorë me automjet, duke rrezikuar jetën e tyre.

Më pas është larguar në drejtim të panjohur.Patrulla policore e ka lokalizuar sërish në fshatin Sopi, por edhe aty i dyshuari ka refuzuar të ndalet dhe ka tentuar përsëri të godasë policinë, duke u arratisur për herë të dytë.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, është iniciuar rasti për veprat penale “Vjedhje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa njësitë policore janë ende në kërkim të të dyshuarit.

Personi i përmendur konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.