Policia e Kosovës me besim rekord nga qytetarët: 85.6% shprehen të kënaqur me punën e saj
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026 tregojnë një nivel të lartë të besimit të qytetarëve ndaj këtij institucioni.
Sipas të dhënave të publikuara, 85.6 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se kanë besim në Policinë e Kosovës, duke e renditur atë ndër institucionet me nivelin më të lartë të besimit publik në vend, së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka vlerësuar se ky rezultat është një dëshmi për punën, profesionalizmin dhe angazhimin e vazhdueshëm të zyrtarëve policorë në garantimin e rendit publik, sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Në komunikatën për media thuhet se qytetarët vazhdojnë ta konsiderojnë sigurinë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit si ndër prioritetet kryesore për zhvillimin e vendit.
Policia ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin në luftimin e kriminalitetit, përfshirë krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafikimin, përmes bashkëpunimit me qytetarët, institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Institucioni ka shprehur mirënjohje për besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, duke theksuar se ky vlerësim përbën një motiv shtesë për të vazhduar punën me profesionalizëm, integritet dhe transparencë.
