Përfshihet nga tymi kamioni me bagëti, bllokohet autostrada “Ibrahim Rugova”

07.07.2026

Një defekt teknik në një kamion që po transportonte bagëti ka shkaktuar kaos dhe kolona të gjata pasditen e sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sipas dëshmitarëve nga vendi i ngjarjes, kamioni ka filluar të lëshojë tmerrësisht shumë tym në mes të rrugës, gjë që ka alarmuar shoferët e tjerë dhe ka detyruar ndalimin e menjëhershëm të qarkullimit.

​Për shkak të rrezikut nga zjarri dhe nevojës për të siguruar bagëtitë që ndodheshin brenda mjetit, autoritetet kanë bllokuar përkohësisht të gjitha korsitë e autostradës. Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i mirëmbajtjes për të menaxhuar situatën dhe për të bërë të mundur largimin e mjetit të rëndë.​

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia po bën thirrje për kujdes të shtuar nga shoferët që gjenden në këtë aks rrugor deri në lirimin e plotë të korsive.