Nis projekti për stabilizimin e rrëshqitjeve në R7
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka nënshkruar kontratat për realizimin e punimeve të sanimit të skarpateve përgjatë autostradës R7 “Ibrahim Rugova”, pas përfundimit të procedurave dhe shqyrtimit të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Projekti përfshin ndërhyrje në tri segmente kryesore të autostradës, të identifikuara si pika me rrëshqitje dhe rrezik të shtuar për qarkullimin rrugor.
Në Lotin 1 parashihet sanimi i rrëshqitjes në kilometrin 72.4, me vlerë mbi 2.08 milionë euro.
Loti 2 përfshin dy lokacione në kilometrat 69.1 dhe 63.4, me një kosto rreth 1.18 milionë euro, ndërsa Loti 3 adreson rrëshqitjen në kilometrin 44.0, me vlerë rreth 1.39 milionë euro.Në total, investimi kap shifrën prej rreth 4.67 milionë eurosh dhe synon rritjen e sigurisë rrugore si dhe mbrojtjen e infrastrukturës nga dëmtimet e mëtejshme.
Sipas ministrisë, punimet pritet të nisin në ditët në vijim, pas mobilizimit të operatorëve ekonomikë.
Institucioni ka theksuar se procesi ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe ka qenë në shqyrtim në OSHP, duke mos lejuar ndërhyrje në vendimmarrje gjatë kësaj faze.
