Nis takimi i Presidentes Osmani me liderët politikë për datën e zgjedhjeve lokale
Në një nga zyrat e Kuvendit të Republikës, ka nisur takimi i thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike, me qëllim caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Foto: Ilustrim
Takimi konsultativ ka filluar në orën 14:00.
Ndryshe nga partitë e tjera që po përfaqësohen nga liderët e tyre, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dërguar Albulena Haxhiun në këtë takim.
Në takim janë të pranishëm:
- Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
- Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
- Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
- Faton Peci, bashkëkryesues i partisë “Guxo”.
- Mimoza Kusari-Lila, kryetare e “Alternativës”. Këta dy të fundit janë në koalicion në nivel qendror me LVV-në.
- Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate.
- Përfaqësues të partive nga komunitetet në vend.
Vlen të theksohet se Lista Serbe nuk i është përgjigjur ftesës së Presidentes për këtë takim.
Nga Presidenca e Kosovës është bërë e ditur se menjëherë pas përfundimit të këtyre konsultimeve, Presidentja Osmani do të caktojë zyrtarisht datën e zgjedhjeve lokale. Ky takim është hapi i fundit procedural për të vendosur për datën e zgjedhjeve të ardhshme komunale.