Kongresisti amerikan Latimer uron Kurtin për mandatin e ri, kërkon marrëveshje për Presidentin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kongresisti amerikan George Latimer, me rastin e konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe fillimit të mandatit të ri si kryeministër.
Foto: Ilustrim
Në letrën e tij, Latimer ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kurtin dhe institucionet e Kosovës në avancimin e vlerave të përbashkëta, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik.
“Teksa nisni mandatin tuaj të katërt si Kryeministër, pres me kënaqësi të bashkëpunoj ngushtë me ju dhe kolegët tuaj për avancimin e vlerave të përbashkëta të dy vendeve tona, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik”, ka shkruar Latimer.
Kongresisti amerikan në letrën e tij është ndalur edhe te zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës. Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërmjet partive politike në mënyrë që të arrihet një marrëveshje dhe të shmangen zgjedhjet e reja parlamentare.
“I inkurajoj të gjitha partitë politike në Kosovë që të kthehen në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje për Presidentin e ri, në mënyrë që të shmanget një cikël tjetër i kushtueshëm i zgjedhjeve parlamentare”, ka shkruar Latimer.
Ai ka theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet partive për çështjet me interes kombëtar janë të rëndësishme për funksionimin dhe përparimin e një shoqërie demokratike.
