Gjykata Kushtetuese e Kosovës anulon dekretin e Presidentes – 34 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim unanim me pasoja të mëdha politike dhe institucionale, duke e shpallur të pranueshme kërkesën dhe duke konstatuar se Dekreti nr. 24/2026 i Presidentes së Republikës së Kosovës nuk prodhon asnjë efekt juridik.
Foto: Ilustrim
Në aktgjykimin e publikuar më 25 mars 2026, Gjykata ka vendosur që deputetët e Kuvendit kanë në dispozicion 34 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Sipas vendimit, në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda këtij afati, atëherë aktivizohet automatikisht dispozita kushtetuese për shpërndarjen e Kuvendit. Në këtë situatë, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Gjykata gjithashtu ka bërë të ditur se masa e përkohshme e vendosur më 9 mars 2026 shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare.
Ky vendim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike në vend, duke rritur presionin mbi Kuvendin për të arritur një konsensus për zgjedhjen e Presidentit dhe për të shmangur një krizë të re institucionale.
