Haxhiu i drejtohet Kushtetueses për kompetencat presidenciale pas mandatit gjashtëmujor
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim lidhur me ushtrimin e kompetencave të presidentit pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.
Presidenca ka konfirmuar se Haxhiu, në bazë të nenit 113 të Kushtetutës, ka kërkuar nga Kushtetuesja të përcaktojë se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale në rast se presidenti i ri nuk zgjidhet brenda këtij afati.
Një nga çështjet kryesore të ngritura lidhet me kompetencën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, e cila sipas Kushtetutës i takon presidentit.
“Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Sipas Presidencës, dispozitat kushtetuese duhet të interpretohen në ndërlidhje me njëra-tjetrën, në mënyrë që përfundimi i një afati kushtetues të mos pamundësojë përmbushjen e detyrimeve të tjera.
Për këtë arsye, Haxhiu ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të përcaktojë zgjidhjen që garanton vazhdimësinë e funksionimit të institucioneve brenda rendit kushtetues.
