Dogana ndalon mbi 18 mijë euro mjete monetare të padeklaruara në Dheu të Bardhë

21.08.2026

Më 18 gusht 2026, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë parandaluar futjen e mjeteve monetare të padeklaruara në territorin e Kosovës, gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.

Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar 12,570 euro dhe 5,900 franga zvicerane, me vlerë të përgjithshme prej 18,841.74 euro, sipas kursit të këmbimit të ditës së kontrollit.

Mjetet monetare janë ndaluar dhe evidentuar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa rasti është iniciuar për trajtim të mëtejmë nga njësitë kompetente të Doganës së Kosovës.

Dogana e Kosovës rikujton qytetarët se çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës është i obliguar të deklarojë mjetet monetare, instrumentet e negociueshme, metalet dhe gurët e çmuar kur vlera e tyre arrin ose tejkalon shumën prej 10 mijë euro.