Në Vërmicë zbulohen 150 mijë euro të padeklaruara në një veturë

13.11.2026

Dogana e Kosovës ka zbuluar 150 mijë euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një veture në Pikëkalimin Kufitar të Vërmicës.

Rasti ka ndodhur më 12 nëntor, rreth orës 19:00, në hyrje të Kosovës, kur zyrtarët e Sektorit të Antikontrabandës kanë ndaluar për kontroll një veturë. Drejtuesi i saj, pasi është pyetur nga zyrtarët doganorë, ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të deklaruar.

Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar të veturës janë gjetur 150 mijë euro, të gjitha në kartëmonedha prej 50 eurosh. Fillimisht, drejtuesi kishte deklaruar se shuma ishte 120 mijë euro.

Në bazë të procedurave ligjore, Dogana ka konfiskuar 37 mijë e 500 euro, që përbëjnë 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa 112 mijë e 500 eurot e tjera janë mbajtur për deponim dhe ruajtje deri në përfundimin e procedurave përkatëse.

Për rastin është njoftuar edhe Sektori i Hetimeve i Doganës, i cili ka vepruar në koordinim me Prokurorinë kompetente në Prizren.

Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, drejtuesi i veturës dhe automjeti janë liruar, ndërsa personi është obliguar të paraqesë dokumentacion për të dëshmuar prejardhjen e parave.

Dogana e Kosovës rikujton se deklarimi i mjeteve monetare në vlerë prej 10 mijë eurosh ose më shumë është obligim ligjor gjatë hyrjes apo daljes nga Republika e Kosovës.