Kosova importoi mbi 492 mijë goma për vetura brenda nëntë muajve, 73% erdhën nga Kina
Me afrimin e sezonit dimëror dhe hyrjen në fuqi të obligimit për pajisje dimërore nga 15 nëntori, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë importuar mbi 492 mijë goma të reja për autovetura, me vlerë prej rreth 17.62 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të publikuara nga Dogana e Kosovës, gjithsej janë importuar 492,171 goma të reja për vetura gjatë periudhës janar–shtator, ndërsa vlera mesatare e deklaruar në import për një gomë ishte rreth 35.81 euro.
Pjesa më e madhe e gomave kanë origjinë nga Kina. Nga ky shtet janë importuar 360,304 goma, me vlerë rreth 9.62 milionë euro, që përbën 73.2 për qind të totalit të gomave të importuara.
Pas Kinës, sipas vlerës së importit, renditen Hungaria me 19,420 goma në vlerë prej 1.09 milion eurosh dhe Gjermania me 11,501 goma, në vlerë prej rreth 1.04 milion eurosh.
Import i konsiderueshëm është regjistruar edhe nga Serbia, me 22,616 goma, Turqia me 19,782 dhe Koreja me 13,004 goma.
Sa i përket dinamikës mujore, shtatori ishte muaji me importin më të madh, me gjithsej 110,012 goma të reja për autovetura, në vlerë prej rreth 3.4 milionë eurosh.
Ndërkaq, gjatë janarit janë importuar vetëm 8,553 goma, numri më i ulët për periudhën e analizuar.
Të dhënat doganore nuk bëjnë dallimin ndërmjet gomave verore, dimërore dhe atyre për të gjitha stinët. Për këtë arsye, nuk mund të përcaktohet saktësisht se sa prej gomave të importuara janë të destinuara për sezonin dimëror.
Përveç gomave të reja, gjatë kësaj periudhe janë importuar edhe 41,294 goma të përdorura, me vlerë prej rreth 501 mijë eurosh.
Ndryshe, nga 15 nëntori deri më 15 mars, drejtuesit e automjeteve në Kosovë janë të obliguar të pajisen me pajisjet dimërore, sipas kërkesave ligjore për qarkullim në kushte dimërore.
