Dogana e Kosovës sekuestron mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara në Jarinjë

04.07.2026

Dogana e Kosovës ka zbuluar dhe ndaluar mbi 7 mijë produkte farmaceutike të padeklaruara gjatë një kontrolli të rregullt në Pikën e Kalimit Kufitar Jarinjë.

Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët doganorë ndaluan për kontroll një autobus të linjës së rregullt ndërkombëtare, ku gjatë inspektimit të bagazheve u gjet një valixhe me barna dhe produkte farmaceutike pa dokumentacionin përkatës dhe të padeklaruara pranë autoriteteve doganore.

Kontrolli rezultoi me zbulimin e gjithsej 7,168 produkteve farmaceutike, prej të cilave 7,100 ishin kapsula, ndërsa 68 të tjera ishin në forma të ndryshme si shurupe, sprej dhe xhel.

Meqenëse asnjë nga pasagjerët nuk e pranoi pronësinë mbi bagazhin, Dogana, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-247 – Kodi Doganor dhe i Akcizave, ka iniciuar procedurë kundërvajtëse ndaj kompanisë transportuese, si subjekt përgjegjës për transportin e mallrave dhe bagazheve kur pronari nuk identifikohet.

Mallrat janë sekuestruar, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë procedurat e mëtejshme ligjore.

Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe parandalimin e hyrjes në vend të barnave dhe produkteve farmaceutike të padeklaruara ose me origjinë të padokumentuar, të cilat mund të përbëjnë rrezik për shëndetin publik dhe sigurinë e qytetarëve.