Bashkëpunimi Kosovë–Spanjë çon në arrestimin e të dyshuarit për rrëmbim të fëmijës

27.06.2026

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe përmes koordinimit të INTERPOL-it, ka realizuar me sukses një operacion policor që ka çuar në arrestimin e një shtetasi gjerman të dyshuar për veprën penale “rrëmbim i fëmijës”.

Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor kishte pranuar informacion nga autoritetet spanjolle se i dyshuari A.M.L. (1989) kishte rrëmbyer një fëmijë gjashtëvjeçar dhe dyshohej se ndodhej në Republikën e Kosovës.

Pas koordinimit të veprimeve me njësitë përkatëse policore, më 24 qershor 2026 i dyshuari u lokalizua dhe u arrestua në një lokacion në Fushë Kosovë, së bashku me fëmijën e rrëmbyer.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa fëmija është trajtuar sipas procedurave ligjore dhe është vendosur në strehim të sigurt.

Policia njofton se, në bashkëpunim me prokurorin e rastit, Qendrën për Punë Sociale dhe autoritetet spanjolle, pas verifikimit të të gjitha rrethanave, më 25 qershor 2026 është bërë kthimi i sigurt i fëmijës te nëna e tij.

Policia e Kosovës theksoi se operacioni është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar në luftimin e krimit dhe mbrojtjen e fëmijëve.