Arrestohet djali i vëllait të Fetah Paqarizit, dyshime për presion dhe ryshfet në Prizren
Burime të “Betimit për Drejtësi” bëjnë të ditur se gjatë një aksioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë në Prizren është ndaluar një person nën dyshimet për ushtrim presioni dhe dhënie ryshfeti në lidhje me procesin zgjedhor.
Sipas informacioneve, bëhet fjalë për Granit Paqarizin, nipin e kandidatit për deputet Fetah Paqarizi. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprime të kundërligjshme, të cilat përfshijnë presion dhe ryshfet, me qëllim ndikimin në procesin e votimit.
Po ashtu, burime të njëjta kanë konfirmuar se në kuadër të hetimeve janë thirrur për intervistim mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor, ndërsa gjatë ditës pritet që të ketë edhe ndalime të tjera.
Ndërkohë, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar më herët me shkrim Policinë e Kosovës që të veprojë me vetiniciativë për identifikimin e personave përgjegjës dhe grumbullimin e provave relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet, çka ai e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” disa ditë më parë.
